Në kujdesin e Bashkisë Memaliaj me mbështetje të UNDP në Shqipëri, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është zhvilluar sot në ambjentet e bashkisë takimi i parë i Komitetit Drejtues të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje. Me pjesëmarrje të kryetarit të Bashkisë Memaliaj z. Gjolek Guci, ekspertes për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje të UNDP, drejtues të institucioneve rajonale, përfaqësues të policisë, përfaqësues të Kujdesit Shëndetësor etj, në këtë tryezë u diskutua mbi nevojën e bashkëpunimit në parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës në familje, rolin e Komitetit Drejtues të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje, praktika të mira, arritje dhe sfida në Bashkinë Memaliaj. Ndërsa në përfundim u arrit dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes institucioneve përgjegjëse. Projekti “Ngritja e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje në Bashkinë Memaliaj” vjen si pjesë e programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri “, financuar nga Qeveria Suedeze.